Avni Dehari: Kjo është vrasje e dytë e Astritit

Avni Dehari

Dehari në një konferencë për gazetarë ka thënë se pikërisht për shkak të mosbesimit në institucionet vendore ata kishin kërkuar që ekspertiza të bëhej jashtë vendit.

“Si t’iu besohet kur thonë se nuk kanë kopje të origjinalit në zyrë dhe e kanë dërguar në përkthim. Nuk ka normë juridike që e arsyeton. Për shkak të mosbesimit që kemi pasur në institucionet e drejtësisë jemi detyruar që të kërkojmë ekspertë të jashtëm, por nuk kemi pasur besim sepse kanë shkelur të gjitha procedurat që nga fillimi”, ka deklaruar Avni Dehari.

“Ata akuzojnë mediat e avokatin për politizim të rastit. Ata nuk duan të jenë transparentë, mund t’i fshehin faktet. Për ne si familje ky akt është vrasja e dytë e Astritit”.

Ndërkohë, nëna e Astritit, Xhemile Dehari ka thënë se ata do të pranojnë çfarëdo rezultati që del nga ai raport.

“Do ta pranojmë çfarëdo rezultati që del prej atij raport. Na po e dojmë origjinalin, të papërkthyer”, ka thënë ajo.

Për gruan e Astritit, Artën, është e papranueshme se si në Prokurorinë e Prizrenit nuk e kanë asnjë kopje të raportit.

“Prokurori tha s’kemi kopje të raportit origjinal. Mu duk absurde qysh e dërgojnë origjinalin edhe s’mbajnë kopje”, ka thënë ajo.

Kurse avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka thënë se në vazhdimësi kanë kërkuar që ta posedojnë këtë raport në origjinal, të papërkthyer.

“Ne kemi pasur kërkesa të vazhdueshme që të marrim raportin e Institutit zvicran. Ky raport është kryer para dy javësh e vetëm dje Prokurorët kanë njoftuar se e kanë marrë”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka thënë para mediave se raporti do t’u dorëzohet familjarëve pasi që i njëjti të përkthehet.

Për t’u bërë kjo do të duhen tre ditë, ka deklaruar Shala./Gazeta Express.