Basha mbrohet i vetmuar por kërkohet edhe tërheqja e Berishës

Tashmë të gjithë deputetët nga të dy krahët kërkojnë dorëheqjen e Bashës.

Pas 6 orëve debat ku njëzëri deputetët e grupit parlamentar i kërkuan të japë dorëhqjen, Lulzim Basha ndonëse tashmë ka mbetur i vetëm, pasi e çoi Partinë Demokratike forcë të tretë, tha se nuk heq dorë nga drejtimi i saj. U shpreh se mban përgjegjësi, se vinte veten në dispozicion në çdo formë, por në formën që i kërkuan deputetët.

“Si kryetar i PD përgjegjësia bie mbi mua. Ndava vënien time në dispozicion të zgjidhjes në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme. Sot grupi parlamentar ka bërë një analizë të gjendjes dhe mundësitë e përbashkimit të demokratëve, nuk ka kërkuar as koka turku as justifikime. Për mua gjëja më e rëndësishme është bashkimi i demokratëve. Unë jam në dispozicion të zgjidhjes. Po më bëjnë ‘kokë turku’. Sa më takon mua jam në dispozicion të gjithçkaje me sa kam në dorë”.

Ajo që u kuptua më qartë nga Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, ishte kushtëzimi i largimit të Bashës me tërheqjen e Sali Berishës. Por ajo që nuk u kuptua është se si partia e Bashës i vë kusht dikujt të cilin e ka përjashtuar dhe që doli më vete në zgjedhje.

“Një tërheqje e të dyve do të ishte rruga e bashkimit të demokratëve. Të gjejmë një zgjidhje përtej dy individëve që e kanë shkaktuar këtë problem. Do të duhen të dy të tërhiqen që të gjejmë rrugën e zgjidhjes”.

Sikur të kishin rënë dakord më parë, të njëjtën linjë mbajtën edhe dy nënkryetarët Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku.

Enkelejd Alibeaj: Gjithkush duhet të bëjë një hap pas që demokratët të ecin para. Basha është shprehur se vihet në dispozicion të çfarëdo zgjidhje. Edhe nga Berisha të hiqet dorë nga fryma përçarëse.

Këtë lloj logjike deputeti Tomor Alizoti tha se e kishte të pamundur ta kuptonte.

“Zotëria në fjalë ka përdorur një fjalë ‘hap pas’. Në fund arrita të kuptoj se nuk do dorëhiqet. Grupi parlamentar s’e përjashton dot Bashën, po diskutojmë se kemi të bëjmë me një rast të rrallë në univers, grupi thjesht mund ta pezullojë”.

Grida Duma paralajmëron veprime të tjera.

“Dualizmi me Sali Berishën por edhe vendimi i Shtatorit ishte një vendim pro Shteteve të Bashkuara dhe pro aleatëve strategjikë që unë vijoj të besoj që PD duhet ta ketë mbështetjen. Dhe në këtë kuptim çështje parimi ajo që ne bëmë ishte okay, ju thoni që keni dualizëm s’keni qenë të lirë, e kemi tani lirinë për të vepruar dhe për të mos gabuar njësoj”.

Edhe pse u mblodh për të bërë llogaritë e veta se si përfundoi forcë e tretë në zgjedhje për herë të parë në histori, mbledhja përfundoi duke bërë llogaritë e Foltores, e cila, me rezultatin si forcë e dytë me 6 Mars, e sheh veten si rivalen e vërtetë të socialistëve. Të paktën këtë e treguan llogaritë e votave, shkruan tvklan.al.