Biden flet për Kosoven gjatë fushatës por pak më ndryshe nga Trump

Biden në Kosovë

Më shumë se 4 vjet më parë, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që rrugës nacionale Gjilan-Ferizaj t’ia vënte emrin “Beau Biden”, në nderim të djalit të Joe Biden, atëherë ish-zëvendëspresident i SHBA-së, e tash kandidat i demokratëve për president.

Kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa, në mbledhjen e kabinetit qeveritar kishte thënë se emërtimi i kësaj rruge shumë të rëndësishme të Kosovës me emrin e Beau Biden ishte diskutuar në të gjitha nivelet dhe se ishte një disponim i përgjithshëm që përmes këtij vendimi të tregohet falënderimi dhe mirënjohja e Kosovës për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e institucioneve të vendit tonë, veçmas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me shumë gjasë atëherë askush s’e ka menduar se 4 vite më pas, Joe Biden gjatë fushatës elektorale ku kërkon votat e amerikanëve për t’u vendosur në krye të shtetit më të fuqishëm në botë, do të krenohej me këtë vendim të Qeverisë së një shteti të vogël si Kosova.

Gjatë fjalimit të tij në fushatën elektorale në Michigan, Biden është shprehur krenar kur ka kujtuar se në Kosovë një rrugë ka marrë emrin e djalit të tij të ndjerë, Beau Biden, si shenjë mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin e tij në Kosovë. Ai ka folur edhe për përmendoren e ish-presidentit të SHBA-së, Bill Clinton që ndodhet në Prishtinë.

“Pas një viti të qëndrueshëm kur shërbeu si zyrtar ligjor i SHBA-së, shkoi në Kosovë – o baba, do të jem baba tipik – atje është një përmendore prej mbi 3.5 metrash kushtuar atij, një rrugë e rëndësishme që ata ndërtuan – Rruga “Beau Biden”, për përkushtimin e tij. Biri im u kthye në atdhe me një tufë medaljesh (për shërbim), si shumë të tjerë, para se ta humbte jetën”, ka thënë Biden, shkruan Gazeta Express.