Erdogan e quan idenë e Shqipërisë së madhe “pretendim të shëmtuar” dhe projekt të papranueshem

Erdogan per bashkimin kombetar

Intervista e presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan për Top Channel ka bërë bujë të madhe në Serbi dhe jo vetëm.

Mediat fqinje e kanë marrë vetëm pjesën e intervistës së Erdoganit ku flet për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, dhe thotë se ideja e bashkimi të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës është e papranueshme për Turqinë.

B92 shkruan, se Erdogan ka thënë se Turqia respekton sovranitetin dhe integritetin e vendeve në Ballkan, transmeton lajmi.net.

“Ky është një pretendim i shëmtuar dhe s’është një gjë e bukur ta thuash… Nuk është ajo që do të donim të mendonim. Çdo vend duhet të konsiderohet në kushtet e tij gjeografike. Ndërhyrje si ato që kemi parë në histori janë të gabuara. Çfarëdo që po ndodh në Lindjen e Mesme, në Irak, Siri ne shohim pasojat e këtyre ndërhyrjeve në portat tona dhe nuk duam të shohim ndërhyrje të ngjashme në Ballkan. Ekzistojnë ata që po bëjnë llogari të tilla me Ballkanin dhe ne nuk do t’i lejojmë ata që të arrijnë synimet e tyre. Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit duhet të respektohet njëherë e përgjithmonë. Këtë mbrojmë ne dhe kështu duhet të jetë. Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Shqipëria, apo Serbia s’ka rëndësi emri, për asnjë nuk duhet të luhen më këto lojëra. Të gjitha këto vende duhet të ruajnë integritetin territorial, siç ka qenë në të kaluarën, e siç duhet të jetë në të ardhmen”, ka thënë Erdogan.

Presidenti i Turqisë, tha se të gjitha këto vende duhet të vazhdojnë rrugën e tyre të vetme. /Lajmi.net/