Ndër 141 të infektuarit e sotëm edhe kryetari i Kamenicës

Qendron Kastrati rezulton pozitiv me covid-19

141 të infektuar vetëm sot me COVID-19. Shifra më e lartë e regjistruar deri më tani në Kosovë ndër ta edhe kryetari i Kamenicës Qendron Kastrati.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së, të martën janë testuar 397 mostra nga të cilët 141 kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Numri i përgjitshmëm i te infektuarve në Kosovë ka arritur në 1756.

Nga rastet e sotshme 42 raste janë në Prishtinë, kurse numër të madh rastesh ka edhe në Vushtrri (30), Pejë (18), Mitrovicë (11) e Obiliq (9). Në Prizren janë shtatë raste të reja, në Fushë Kosovë gjashtë, në Gjilan pesë raste e në Podujevë katër. Virusi ka prekur edhe Mamushën me tri raste të reja, Vitinë (2), Kamenicën, Parteshin, Kaçanikun e Rahovecin me nga një rast. Shtrirja është dukshëm më e madhe, në fshatrat e thuajse të gjitha komunave të prekura.

Ndër të infektuarit e sotëm është edhe kryetari i Kamenicës Qendron Kastrati.

“Javën e kaluar kam pasur kontakt me një koleg nga Prishtina. Para dy ditësh kolegu ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Në momentin që e kam kuptuar që ai ka bërë testin jam vetizoluar, ndërsa dje jam paraqitur për të bërë testin. Sot jam informuar që testi ka dalë pozitiv. Nuk kam asnjë simptomë por do të qëndroj i vetizoluar sipas rekomandimeve të IKShPK-së. Do t’i dorëzoj të gjitha kontaktet e mia pranë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, por ju lus të gjithëve që jemi takuar ditëve të fundit të vetizoloheni për disa ditë dhe të lajmëroheni nëse keni simptome. Punët në Komunën e Kamenicës do të vazhdojnë me intensitetin e njëjtë, dhe unë do të vazhdoj të punoj nga shtëpia”, ka shkruar ai në Facebook.