Në VV thonë se qeveria Hoti nuk kishte mbi 59 vota valide!

Kuvendi i Kosoves

Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur argumentet e veta se pse qeveria Hoti është “Qeveri Ilegale”.

Vota e parë e kontestuar është ajo e deputetit të dënuar nga gjykata Etem Arifi. Rasti i votimit te Ethem Arifit tashmë është në gjykatën kushtetuese.

Artan Abrashi deputet i Vetëvendosjes,  thotë se Etem Arifi është dënuar me vendim të prerë nga të gjitha instancat juridike në Kosovë.

Në një prononcim të Abrashit të LVV-së të botuar sot në Express thuhet se:

Në procesin e votimit kemi pasur pjesëmarrje të një deputeti që tashmë e ka humbur mandatin, meqenëse është dënuar me vendim të formës së prerë nga të gjitha instancat juridike të gjyqësisë në Kosovë. Rrjedhimisht mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës, ka humbur mandatin e deputetit të Kuvendit. Për këtë kjo votë është e pavlefshme, shtoje faktin se ka qenë votë vendimtare i gjithë procesi i votimit të qeverisë është i pavlefshëm. Prandaj ne mendojmë që menjëherë pas këtij interpretimi Gjykata Kushtetuese, vendos drejt dhe objektivisht e jo në mënyrë skandaloze siç ka vepruar në rastin e dekretit. Në bazë të nenin 82.2 presidenti detyrohet t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme”.

Por përveq deputetit Arifi në LVV thonë se ishte edhe një votë e parregullt, ajo e Haxhi Shales nga Nisma.

Deputeti i Vetëvendosjes Artan Abrashi thotë se edhe vota e Haxhi Shalës është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ai paralajmëroi se shumë shpejtë do të dërgojnë edhe këtë votë në Kushtetuese.

Kushtetuta përcakton se deputeti është i lirë në votim, aty kemi të bëjmë me një pranim publik në një institucion siç është Kuvendi, ku vërtetohet ndikimi nga jashtë. Këtë gjë mbetet ta interpretojë gjykata”, thotë ai.

Haxhi Shala fillimisht kishte deklaruar se nuk do ta votojë qeverinë Hoti. Por diten që u votua qeveria ai haptazi deklaroi në parlament se voten e tij pro qeverisë po e jepte pas vizites në shtëpinë e tij nga presidenti Thaçi dhe ish kryeministri Haradinaj.

Tashmë fati i qeverisë Hoti varet nga vendimi i gjykatës kushtetuese. Pasi qeveria Hoti ka marrë vetëm 61 vota në parlament mjafton që gjykata kushtetuese të vendosë në favor të VV-së për vetëm njëren nga dy rastet dhe qeveria Hoti do të rrëzohet ose duhet ti nënshtrohet rivotimit në parlament.

Nese do të ndodhë kjo Kosova do ta shënojë një periudhe 12 mujore me qeveritë më jetshkurtëra në historinë e saj.