Mundësi reale që të gjitha fletëvotimet të rinumërohen

Një lëshim i rëndë teknik në formularët e vendvotimeve duket se do ta imponojë rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve në nivel vendi.

Pas ankesave të LDK-së, PDK-së dhe Nismës të gjitha fletëvotimet mund të rinumërohen.

Shkak për këtë ka qenë një gabim teknik në formularët e vendvotimeve i cili mund të ndikojë në rezultatin, ndoshta edhe në radhitjen e partive pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Në formularë ka qenë i shënuar emri i subjektit në anën e majtë ndërsa në anën e djathtë numri i votave për atë subjekt. Por siq shihet në fotot më poshtë të publikuara nga IndeksOnline katrori që tregon numrin e votave nuk ka qenë i vendosur drejt siq duhet por ka qenë një rresht më poshtë.

Si shembull i këtij gabimi mund ta marrim numrin 111: Partia Liberale Egjiptiane. Numri i votave për ketë parti është një rresht më poshtë, pra në rreshtin që do të duhej të tregonte numrin e votave të partisë me numrin 112, pra në këtë rast të Partisë Demokratike të Kosovës.

Si pasojë e këtij gabimi numri i votave për të gjitha partitë është shënuar një rresht më poshtë gjë që mund të ketë deformuar numrin e votave te të gjitha subjekteve.

Nuk mund të themi me siguri nese rinumërimi mund ta ndryshojë rezultatin, por diferenca shumë e vogël në mes LDK-së dh VV-së, si dhe diferenca jo e madh e votave të nevojshme për ta kaluar pragun Nisma për Kosovën mund të shkaktojë presion më të madh që të gjitha votat të rinumërohen. Sidoqoftë, vendimin për rinumërim ose jo do ta marrë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).