A e ka seriozisht PDK për “pastrimin” e partisë nga të dënuarit dhe të akuzuarit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) para disa ditësh kishte filluar me “pastrimin” e partisë nga funksionarët e saj të cilët kanë akuza ose janë të dënuar. Por ka degë të kësaj partie që po e bëjnë të kundërten. Njerëzit me akuza ose edhe me keq, funksionarët e dënuar  po i vendosin në kryesi të partisë.

Nuk mund ta dimë saktë se a është kjo një “padëgjueshmëri” e degëve ndaj të parit të partisë Kadri Veseli apo nisma e para disa ditëve me parë ka qenë thjesht një agjendë elektorale. Një gjë dihet me siguri: Kryetari dhe funksionarët e lartë të kësaj partie janë në dijeni se në teren po ndodh e kundërta.

Rasti më i freskët është ai i komunës së Klinës ku një i dënuar për shkak të deklarimit të rrejshëm të pasurisë arriti të bëhej anëtar i kryesisë së PDK-së dega në Klinë. Për te njejtin rast sot ka raportuar GazetaBlic e cila jep më shumë detaje rreth këtij funksionari.

Fjala është për Enver Berishen i cili më parë ishte dënuar nga drejtësia me kusht dhe me një shumë të caktuar parash për shkak të deklarimit të pasurisë.

Enver Berisha në të kaluarën ka qenë dy herë kandidat i AAK-së për kryetar të Klinës. Që të dyja herët ai kishte arritur të përballej ne balotazh me kryetarin e mëhershem të komunës së Klinës, Sokol Bashota.

Enver Berisha si kandidat i AAK-së (tash anëtar i kryesisë së PDK-së) kishte humbur përballë kundërkandidatit nga PDK-ja. Heren e parë (2009) zgjdhjet ishin mbajtur në një atmosferë mjaft të tensionuar. “Jemi detyruar të tërhiqemi për shkak se situata ka qenë si një gjendje lufte” ishte shprehur Enver Berisha në një debat përballë  kryetarit të atëhershëm të Komunës, Sokol Bashota.

Herën e dytë (2013) kishte arritur që më pak më shumë vota se kandidati i LDK-së të përballej përsëri në balotazh kandidatin e njejtë të para katër viteve. Humbja kishte qenë e thellë. Shkak i kësaj humbjeje thuhej të ketë qenë një takim i cili cilësohej si takim i fshehtë i dy kandidatëve. Duket që kjo ishte arësyeja pse elektorati i AAK-së i kishte bojkotuar ato zgjedhje.

Më vonë pas një bastisjeje nga policia, AAK-ja kishte dalë me një deklaratë se e liron Enver Berishen nga të gjitha funksionet në parti. Që nga ajo kohë Berisha ishte bashkuar me PDK-në.

Por ky nuk është rasti i vetem që njerëzit e përjashtuar nga AAK gjejnë strehë në një parti tjetër sidomos në PDK.

Pas kthimit të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj nga Haga nga kjo parti u larguan disa funksionarë të lartë të cilët bashkë me LDK-në kishin qeverisur Kosovën deri në vitin 2007. Në mesin e të larguarve nga AAK janë edhe dy ish kryeministra.