A mundet LDK të mendojë dhe të veprojë si në vitet 90-ta ?

A mundet LDK si ne te 90-tat

Sot në një tubim në Prizren pretendetja për të parën e kësaj partie Vjosa Osmani bëri thirrje që “LDK të mendojë si në vitet e 90-ta”. Por sa nga aktivistët dhe themeluesit e viteve 90-ta gjinden ende në këtë parti.

Një fjali që duket “tepër e bukur për tu bërë realitet”. Gjatë aktiviteteve zgjedhore u dëgjua edhe një fjali. Aty u tha se ka ardhur koha që në LDK të mendohet ndoshta edhe të veprohet si në vitet 90-ta.

Por me kë do ta realizojë zonja Osmani këtë ëndërr të bukur, ëndërr jo vetëm të sajën por edhe të shumë të tjerëve nga ne:

  • Me ata që ishin në pushtet para viteve 90-ta.
  • Me ata që nuk ishin fare në Kosovë gjatë viteve 90-ta.
  • Apo mos ndoshta kjo parti ka vendosur ti rikthejë aktivistët që u dha shqelmin pas viteve 90-ta. Atyre që bashkë më më shumë se 90% të këtij populli e krijuan dhe e forcuan atë lëvizje.

Me ato dy mundësitë e para nuk shanse që LDK të mendojë dhe të veprojë si në vitet 90-ta. Ata nuk kanë kapacitete as intelektuale as ndonjë traditë shtetndërtuese që të mendojnë si në vitet 90-ta.

E treta ska mundësi të ngjajë më. Sepse investimi më i madh që ka bërë kjo parti pas luftes është shkatërrimi i besimit tek aktivistët e ndershëm dhe tek votuesit e saj, të cilët kur mendonin në LDK-në mendonon për shtetndërtimin por u zhgënjyen shumë.

LDK ishte në pushtet që nga paslufta deri në vitin 2010. Gjatë 18 viteve të para të pasluftës LDK ishte opozitë vetëm tri vite.

Në vitin 2010 PDK ishte e rrezikuar të largohej nga pushteti sepse vendi rrezikonte të shkonte në zgjedhje për shkak të pamundësisë për ta zgjedhur presidentin.

Pa presidentin nuk mund të krijoheshin institucionet tjera dhe PDK me koalicionin me AKR nuk i kishte votat e mjaftueshme për të parin apo të parën e vendit. Por ishte LDK që ja mundësoi partisë “rivale” që të vazhdojë të qëndrojë në pushtet duke bërë atë marrëveshjen e famshme.

Me atë marëveshje LDK i dha vulën e “legjimitetit” zgjedhjeve më të pandershme që ka njohur historia e Kosovës së pasluftës. Pra kjo parti është bashkëfajtore edhe për atë periudhë sa ishte në opozitë.

Pas tri viteve vendi shkoi sërish në zgjedhje.

Kjo parti me slloganet zgjedhore të njohura kundër pushtetit arriti ta forcojë pozitën e saj.

Rezistuan disa muaj bashkë me tri parti tjera opozitare. Ishte koha kur në popull kishte një shpresë së gjërat do të ndryshojnë.

Nuk ishte shpresë vetëm rrëzimi I PDK-së nga pushteti, por ndryshimi i një sistemi të keq qëversisjes i vendosur dhe i pandryshur gjatë gjithë pasluftës, pjesë e të cilit sistëm ishte edhe LDK shumicën e kohës.

Por kjo parti nuk arriti të rezistojë gjatë. Sepse brenda nuk i kishte ata që dinin të rezistonin nën pushtimin e egër gjatë viteve 90-ta. LDK bashkë me partinë tjetër PDK-në arritën atë  marreveshjen e famshme. E krijuan qeverinë e cila përfundimisht vrau shpresat e njerëzve për ndryshime në Kosovë.

Efekti i parë i krijimit të këtij koalicioni ishte shpërngulja masive me autobusë drejt Hungarisë me destinacion shtetet përendimore.

Pra a do të mundet kjo parti të mendojë dhe të veprojë si në vitet 90-ta. E vështirë të mendohet. Sepse kjo LDK nuk ka as të drejtë të mburret me organizimin institucional dhe popullor të atyre viteve.

Nuk ka të drejtë sepse lëvizjes së atyre viteve i dhanë fuqi ata që sakrifikuan dhe u burgosën gjatë viteve të 80-ta dhe më herët.

Nuk do të mundet të mendojë dhe të veprojë si në vitet e 90-ta sepse nuk e ka Ibrahim Rugovën i cili përveq pikëpamjeve të një njeriu të civilizuar kishte një biografi personale dhe familjare ndryshe nga këta të sotmit.

Ai dhe shumica e bashkëpunëtorëve të tij që ishin në Kosovë gjatë atyre viteve nuk janë më aty.

Nese dëshironi të bëni diqka si në vitet 90-ta gjeni ca të rinj që u ngjajnë atyre qe nuk janë më pjesë e partisë suaj.