Thirrje për një Gjykatë Speciale për krimet e luftës në Ukrainë

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës Iryna Venediktova ka bërë thirrje për një “model të ri” të përpjekjeve hetimore për të trajtuar krimet e dyshuara të luftës në Ukrainë.

Duke folur në një konferencë shtypi të mërkurën, Venediktova falënderoi 39 vende që thuhet se iu bashkuan apelit të Ukrainës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Rusisë.

Venediktova bëri thirrje gjithashtu që të krijohet një gjykatë speciale për krizën “e paprecedentë” në Ukrainë.

“E Drejta Ndërkombëtare Humanitare, e Drejta Ndërkombëtare Publike, të gjitha institucionet e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore si parandaluese, nuk janë mjaft të afta. Prandaj, ne kemi nevojë për modele të reja, mekanizma të rinj. Ne po kërkojmë nga partnerët tanë modele të përbashkëta investigative, sepse ato që kemi fatkeqësisht nuk funksionojnë”, tha ajo./CNN